Policia Kufitare i vjen në ndihmë një shtetasi gjerman që rrezikonte të mbytej në Liqenin e Shkodrës.
Rreth orës 10:00, shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, pas një njoftimi të marrë nga personeli i një kampingu në fshatin Flakë, Malësi e Madhe, kanë ndërhyrë menjëherë për t’i ardhur në ndihmë një shtetasi gjerman, i cili kishte hyrë me kanoe në Liqenin e Shkodrës dhe rrezikohej të mbytej për shkak të dallgëve të mëdha të krijuara nga përkeqësimi i kushteve të motit.
Shërbimet e Policisë Kufitare u nisën menjëherë me mjet lundrues (skaf) drejt vendndodhjes së tij dhe, pas kërkimeve, bënë të mundur lokalizimin dhe nxjerrjen në breg të shtetasit gjerman J. S., 64 vjeç, i cili u gjet në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Policia Kufitare mbetet e angazhuar maksimalisht në garantimin e sigurisë së qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve. Në rast nevoje për ndihmë, qytetarët ftohen të telefonojnë në numrin unik të emergjencave 112.

