Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull të veçantë deputetes Marjana Koçeku, e cila iu bashkua protestave të studentëve në Tiranë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Në artikullin e publikuar Reuters thekson se Koçeku, 25 vjeçe, ishte përzgjedhur nga Rama për të kandiduar për deputete nën siglën e Partisë Socialiste, por tashmë, si deputete e pavarur, është rreshtuar përkrah protestuesve që kërkojnë largimin e tij.
Sipas agjencisë, korrupsioni, mungesa e vendeve të punës dhe perceptimi se qeveria nuk po u përgjigjet nevojave të të rinjve kanë shtuar pakënaqësinë në vend.
Gjatë protestës, Koçeku kritikoi politikat e ndjekura nga elita politike, duke argumentuar se ato nuk përputhen me kërkesat e qytetarëve shqiptarë.
“Vendi ynë është populli shqiptar. Ata krijojnë të ardhmen, ata krijojnë të tashmen dhe janë ata që mund ta çojnë vendin përpara. Jo një person i vetëm, asnjë qeveri e vetme”, citohet të ketë thënë ajo për Reuters.
Reuters vëren se protestat e ditëve të fundit përbëjnë një sfidë të rëndësishme për qeverinë Rama, i cili ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen dhe se qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve demokratike.

