Një atmosferë e veçantë besimi dhe përkushtimi shpirtëror përfshiu komunitetin katolik në Shkodër, ku në Katedralen e Shën Shtjefnit u ekspozua relikja e Shën Kollit, një prej shenjtorëve më të nderuar të Kishës Katolike. Relikja, e cila ruhet në Rimini, u soll në kuadër të një programi të veçantë fetar, vetëm pak ditë pas kremtimit të festës së këtij shenjti.
Pas meshës solemne, besimtarët morën pjesë në procesionin që u drejtua drejt kishës kushtuar Shën Kollit në lagjen “Rus”, ku u vendos relikja dhe u zhvilluan lutje në një klimë reflektimi dhe devocioni fetar.
Kjo vizitë konsiderohet një moment i rëndësishëm për komunitetin katolik dhe për të gjithë besimtarët që dëshiruan të përjetonin nga afër një ngjarje të rrallë shpirtërore.
Figura e Shën Kollit ka një histori të gjatë në traditën e Kishës. Sipas të dhënave historike, ai vdiq më 6 dhjetor të një viti të panjohur, ndërsa kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël.
Më 9 maj 1087, 72 marinarë nga Bari morën eshtrat e shenjtorit nga Azia e Vogël dhe i sollën në Bari, ku u pritën me nderime të mëdha, duke e kthyer qytetin italian në një nga qendrat më të rëndësishme të kultit të Shën Kollit.
Relikja e Shën Kollit ekspozohet për besimtarët në Shkodër
Publikuar me datë:

