Partia Socialiste ka depozituar një projektligj për reformën e re territoriale, i cili parashikon ndryshime të rëndësishme në organizimin e pushtetit vendor. Mes propozimeve është edhe bashkimi i Bashkisë Fushë-Arrëz me Bashkinë Pukë, duke krijuar një njësi të vetme administrative.
Nisma synon reduktimin e numrit të bashkive në vend, nga 61 që janë aktualisht në 46. Për këtë arsye, 28 bashki ekzistuese do të bashkohen për të formuar 13 bashki të reja.
Përveç Fushë-Arrëzit, projektligji përfshin edhe shkrirjen e bashkive Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.
Sipas draftit, bashkia do të vijojë të jetë njësia bazë e vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, këshill, administratë dhe buxhet unik. Njëkohësisht propozohet krijimi i një niveli të ri administrativ, të quajtur “Qyteti”, duke zëvendësuar modelin aktual “Bashki – Njësi Administrative” me strukturën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”.
Relacioni shoqërues i projektligjit thekson se “Qyteti” do të ketë një rol më aktiv në organizimin dhe koordinimin e shërbimeve publike, ndërsa drejtimi i tij do t’i besohet një nënkryetari të bashkisë.
Në rast se projektligji merr miratimin në Kuvend, Shqipëria do të ketë 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.

