Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar pas debatit të krijuar për mundësinë e hapjes së një Konsullate të Përgjithshme të Serbisë në Shkodër, duke e kritikuar ashpër këtë ide.
Përmes një deklarate publike, Spahia akuzon qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama se po vendosin interesat politike në raport me presidentin serb Aleksandër Vuçiç mbi interesat kombëtare të shqiptarëve.
Sipas deputetit demokrat, në një kohë kur Beogradi zyrtar vijon, sipas tij, me retorikë dhe qëndrime të ashpra ndaj Kosovës, qeveria shqiptare nuk po mban një qëndrim reagues, por po ndërmerr veprime që favorizojnë Serbinë.
Spahia ka ngritur gjithashtu pyetje mbi arsyet dhe momentin e zgjedhur për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, duke theksuar rëndësinë historike dhe simbolike që qyteti ka për shqiptarët.
Më poshtë deklarata e plotë e deputetit Bardh Spahia:
“Hapja e konsullatës serbe në Shkodër është shërbimi i radhës ndaj Vuçiç, i një qeverie thellësisht antishqiptare në Tiranë!
Edi Rama po dëshmon sërish se është i gatshëm të shkelë mbi interesat tona kombëtare vetëm për të ushqyer ‘vëllazërinë’ e tij politike me Aleksandër Vuçiç.
Ndërkohë që Beogradi zyrtar dhe ministrat e tij nuk ndalin gjuhën e urrejtjes dhe fantazitë e spastrimit etnik ndaj Kosovës, qeveria e Tiranës jo vetëm që nuk i dënon, por i shpërblen duke u hapur dyert. Anashkalimi i Kosovës dhe goditja pas shpine ndaj saj është kthyer tashmë në një axhendë të përditshme të këtij pushteti.
Pyetja që duhet të na alarmojë të gjithëve është pse pikërisht tani ndërsa Beogradi zyrtar vazhdon me retorikën dhe qëndrimet nacionaliste dhe madje edhe kërcënuese?
Pse në kryeqendrën e Veriut, në djepin e patriotizmit, kulturës dhe rezistencës historike shqiptare përballë ekspansionizmit nacionalist sllav? E gjitha kjo me bekimin dhe tapinë e kryeministrit tonë ‘vëllait’ të Vuçiçit.”

