Edi Rama ka thirrur për nesër, në orën 10:00, një takim me grupin parlamentar socialist, që do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave.
Kjo mbledhje bëhet në një kontekst politik delikat, duke patur parasysh se në vend janë organizuar protesta qytetare për disa ditë radhazi, kundër projektit të planifikuar në Zvërnec dhe ndryshimeve të propozuara në ligjin për zonat e mbrojtura.
Gjithashtu, ky takim zhvillohet në një periudhë kur mazhoranca po përballet me largimin e një deputeteje nga radhët e saj, Marjana Koçekut, e cila drejtonte listën e socialistëve në Shkodër.
Takimi do të shënojë edhe rigjallërimin e mbledhjeve mujore të grupit parlamentar socialist, të cilat nuk janë mbajtur që prej prillit. Mbledhja e fundit e këtij grupi ka ndodhur pikërisht atëherë, dhe tani socialistët do të kthehen në formatin e zakonshëm të diskutimeve politike.
Gjatë këtij takimi pritet të marrin pjesë të gjithë deputetët e mazhorancës, me fokus në çështje që lidhen me agjendën politike dhe prioritetet e qeverisë për periudhën e ardhshme.

