Një i ri ka rrëfyer për ngjarjet që ndodhën në bulevardin para Kryeministrisë, ku, pas tensioneve të vazhdueshme gjatë protestës së 16 tetorit në Tiranë, mes protestuesve dhe policisë u krijua një periudhë qetësie.
Sipas dëshmisë së tij, protestuesit arritën një marrëveshje të përbashkët me efektivët, gjë që bëri që këta të fundit të tërhiqeshin drejt godinës së Kryeministrisë. I riu thekson se palët kanë arritur mirëkuptim, pa kërkuar ndonjë garanci shtesë.
“Edhe këta janë shqiptarë”, tha ai për efektivët e policisë, duke nënvizuar se policët po zbatojnë urdhrat e eprorëve të tyre.
Megjithatë, ai shpreh pakënaqësinë ndaj protestave paqësore, duke pohuar se këto nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.
“Unë jam për protestën që bën punë. E dinë të gjithë që ajo që bën punë. U lodhëm me protesta paqësore”, deklaroi ai.
Protestuesi më pas përdori një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e përshkroi si “kancerin e Shqipërisë”, duke theksuar se, sipas tij, dhuna është alternativa e vetme që u ka mbetur protestuesve.
“Nuk do ta lëmë të na vënë poshtë, edhe këta janë shqiptarë, kanë marrë urdhër nga kryegjatoshi që është kanceri i Shqipërisë. Vetëm dhuna bën punë këtu, nuk na kanë lënë rrugë tjetër. Policët kanë familje. Duhet të japin dorëheqjen”, u shpreh ai.
Burimi News 24

