Sektori i blegtorisë në vend po përballet me tkurrje të ndjeshme dhe të vazhdueshme të numrit të krerëve gjatë dekadës së fundit.
Të dhënat zyrtare për 2025 tregojnë një panoramë shqetësuese, ku shumica e kategoritë kryesore të bagëtive kanë shënuar rënie, duke reflektuar vështirësitë në të cilat ndodhet ky sektor jetik i ekonomisë.
Numri i krerëve në total shënoi rënie në vitin 2025 me 3.8 për qind në krahasim me vitin 2024. Vitin që shkoi u numëruan gjithsej 1085 krerë nga 2168 që ishin në vitin 2024.
Në sektorin e gjedhëve, pas një periudhe të gjatë rënieje, të dhënat tregojnë shenja të lehta stabilizimi, ku numri i krerëve u rrit nga 272 mijë në 275 mijë gjatë vitit 2025, duke shënuar një shtim prej 3 mijë krerësh ose 1 për qind në vitin e kaluar.
Ndryshe po ndodh me të imtat, të cilat mbeten kategoria më problematike, pasi numri i përgjithshëm i deleve dhe dhive ra nga 1,792 mijë krerë në vitin 2024 në 1,736 krerë, duke u tkurrur me 56 mijë krerë brenda një viti, ose-3%.
Sektori i derrave regjistroi tkurrjen më të ashpër në raport me madhësinë e tij, duke pësuar një rënie prej 28% ne një vit, nga 104 mijë krerë në vitin 2024 në 2025 u raportuan vetëm 75 mijë krerë, ndërsa popullsia e shpendëve vijoi gjithashtu trendin rënës, duke zbritur nga 6,992 mijë krerë në 2024 në 6,953 krerë në 2025, me tkurrje 1%.
Në kontrast me këto zhvillime, bletaria ka shënuar rritje të shpejtë, ku numri i koshereve u rrit me 58 mijë, duke arritur në 645 mijë krerë në vitin 2025, çka përbën një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2024.
Nga viti 2021 në 2025 numri i krerëve të gjedhit ra me 18% dhe i te imtave ra gjithashtu me 18%. Ndërkohe numri i derrave u përgjysmua duke shënuar rënie me 53 për qind pas pandemisë.
Rënia e blegtorisë lidhet me shume arsye ndër të cilat faktori demografik kryeson. Një numër i konsiderueshëm i fermerëve të moshuar po e braktisin blegtorinë për shkak të pamundësisë fizike për të përballuar punën e rëndë, ndërsa brezat e rinj shfaqin interes të ulët për këtë sektor.
Fermerët shpesh hasin vështirësi në vendosjen e produkteve të tyre në treg me çmime konkurruese, gjë që e bën mbajtjen e bagëtive ekonomikisht të paqëndrueshme. /Monitor

