Protestat e shqiptarëve kundër qeverisë janë shtrirë deri në Hagë, Holandë, ku diaspora shqiptare ka organizuar një tjetër tubim për të shprehur pakënaqësinë e tyre mbi situatën politike dhe sociale në vendin e origjinës.
Protestuesit kanë akuzuar klasën politike për mungesë alternative dhe për fluksin masiv të shqiptarëve që e kanë lënë vendin gjatë viteve të fundit.
Ata kërkojnë një ndryshim të thellë politik dhe mbështesin protestat që po zhvillohen paralelisht në Shqipëri.
“Kështu do të arrijmë të rrëzojmë qeverinë e korruptuar. Na kanë përzënë nga shtëpitë tona për 35 vite. Shqipërinë e përfaqësojnë arti, folklori, kultura dhe tradita,” deklaroi një nga protestuesit.
Po ashtu, protesta të ngjashme janë zhvilluar nga komunitete shqiptare në vende të tjera europiane, përfshirë Itali, Angli, Gjermani dhe Austri.
Në Tiranë, protestat vazhdojnë për të 15-ën ditë radhazi, me organizatorët që kërkojnë largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

