Nëntë persona janë vënë nën akuzë nga policia, pasi dyshohen se kanë qëndruar në mënyrë të paligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pas përfundimit të protestës që u mbajt më 20 qershor.
Policia raportoi se pas mbylljes së protestës, rreth orës 22:00, individët e proceduar kanë vazhduar të qëndrojnë në zonë, duke penguar lëvizjen e automjeteve dhe duke shkaktuar shqetësim publik.
Në njoftimin e policisë theksohet se këta persona kanë tejkaluar orarin e lejuar për zhvillimin e tubimit, duke zaptuar hapësirën publike me karrige metalike dhe objekte të tjera në bulevard.
Procedimi ka përfshirë shtetasit: Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.
Sipas njoftimit, dokumentacioni i procedurës do t’i dërgohet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për akuzat e “Pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishjes së qetësisë publike” dhe “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme”.

