Në 90-vjetorin e lindjes:
PRIVILEGJI I NJOHJES
ME ZOTNI ROBERT PRENDUSHIN
Shkodra është qyteti që, më shumë se çdo qytet tjetër në botën shqiptare, ofron privilegje të mëdha e të shumta për gjithkënd që do të bëhet pjesë e universit të saj kulturor.
Në mënyrë të veçantë, nëse të është dhënë mundësia apo ke patur fatin të jetosh në Shkodër qoftë edhe për fare pak kohë, këto privilegje shndërrohen edhe në referenca të një niveli të epërm intelektual, qytetar dhe atdhetar.
Nuk them asgjë me tepri. Madje, jam në regjistrin e duhur për të thënë me forcë e me zë të lartë se një nga këto referenca është edhe Profesor Robert Prendushi, njohjen me të cilin, që prej kur kam qenë student, unë e konsideroj një nga privilegjet e mëdha që më dhuroi Shkodra.
Robert Prendushi dhe, bashkë me të, edhe Robert Radoja, janë dy korifenjtë e fundmë të brezit të artistëve të mëdhenj që Shkodra i dha kulturës kombëtare (më ndjeni nëse unë nuk kujtoj dot një të tretë në nivelin dhe moshën e tyre dhe, krejt pa dashje, mund ta kem harruar!), anipse, për një paradoks injorance që i dominon, për fat të keq, institucionet shtetërore të kulturës, për punën e palodhur dhe kontributet e çmuara të tyre nuk kujtohet askush!
Sot Robert Prendushi feston 90-vjetorin e lindjes. Siç edhe pritej, Ministria e Kulturës (nuk e di se çfarë ka bërë Bashkia e Shkodrës!) nuk e ka gjetur me vend të paktën t’i bënte një mesazh urimi këtij punëtori të palodhur të kulturës, i cili nuk është vetëm një muzikolog apo studiues elite, por edhe një rojtar i memories sonë muzikore.
Me pasion të veçantë, Profesor Prendushi është përpjekur të na bindë se kënga nuk është vetëm art, por edhe mënyra se si një popull kujton vetveten.
I lindur dhe formuar në djepin e kulturës shqiptare, Shkodrën, Robert Prendushi mbart me vete edhe elegancën intelektuale karakteristike të qytetit të tij.
Si një qëmtues i vëmendshëm dhe studiues me formim të konsoliduar shkencor, Profesor Prendushi nuk ndalet tek melodia, por kërkon rrënjën e tingullit, kërkon historinë që fshihet pas saj.
Për këtë arsye, punimet dhe kontributet e tij të vyera nuk janë vetëm analiza muzikore, por edhe rrëfime mbi identitetin shqiptar.
Në to ka përkushtim intelektual, disiplinë shkencëtari dhe respekt atdhetari për kujtesën kombëtare.
Ndaj, mirënjohja për të nuk është vetëm detyrim ndaj një studiuesi të shquar, por edhe nderim për një jetë të tërë të vënë në shërbim të kulturës kombëtare; është nderim për gjithë atë brez, vazhdues dhe mbrojtës i veprës së të cilit është edhe Profesor Robert Prendushi.
Ja, për të gjitha këto arsye, unë vendosa ta ndaj me ju, të dashur lexues, nderimin tim për zotni Robert Prendushi në 90-vjetorin e lindjes së tij, bashkë me urimin:
Gëzuar, Profesor Prendushi, me respektin, admirimin dhe mirënjohjen më të lartë!
Të paçim jetëgjatë

