Një reagim i Policisë së Vlorës për ngjarjet e ndodhura në protestën e Zvërnecit ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të situatës nga autoritetet.
Në njoftimin zyrtar, policia pranon se protestuesi E.S. ka pësuar dëmtime trupore pasi u shoqërua nga punonjës të kompanisë private të sigurisë brenda ambienteve të kantierit. Sipas policisë, ai u nxorr më pas nga ndërhyrja e efektivëve dhe bëri kallëzim ndaj dy rojeve private, të cilët janë proceduar penalisht.
Megjithatë, pavarësisht pranimit të dhunës ndaj protestuesit, policia ka proceduar penalisht edhe 15 banorë pjesëmarrës në protestë, duke i akuzuar për veprime të dhunshme dhe tentativë për prishjen e rrethimit të kantierit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta mes banorëve, të cilët prej kohësh kundërshtojnë projektin ndërtimor në zonën e Portonovës. Në fokus mbetet fakti se një qytetar përfundoi i dhunuar brenda kantierit nga punonjës privatë sigurie, ndërsa policia ka zgjedhur të procedojë si rojet private ashtu edhe protestuesit.
Materialet janë referuar në Prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme procedurale.
Postimi i plotë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë
Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.
Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private.
Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë.
Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.
Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore.
Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie.
Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Po në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht edhe 15 shtetas pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

