Sezoni veror ka sjellë rritje të ndjeshme të lëvizjes së automjeteve në qarkun e Shkodrës, duke shoqëruar edhe me shtim të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Në një deklaratë për mediat, shefi i Sektorit të Policisë Rrugore Shkodër, komisar Ermal Zenelaj, evidentoi shkeljet më të zakonshme që konstatohen çdo ditë nga efektivët në terren.
Zenelaj theksoi se prioritet i Policisë Rrugore mbetet parandalimi i aksidenteve dhe rritja e ndërgjegjësimit të drejtuesve të mjeteve, duke nënvizuar se qëllimi nuk është vendosja e gjobave, por respektimi i rregullave dhe garantimi i sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Gjatë prononcimit, ai bëri publike edhe të dhënat mbi aksidentet rrugore të regjistruara në qarkun e Shkodrës, duke analizuar situatën e deritanishme.
Një shqetësim që vijon të mbetet prezent, sipas tij, është drejtimi i automjeteve nga të miturit, një fenomen që në disa raste ka sjellë edhe përfshirje në aksidente rrugore. Për këtë arsye, ai u bëri thirrje prindërve dhe qytetarëve të tregojnë përgjegjësi më të madhe për të parandaluar ngjarje që mund të kenë pasoja të rënda.

