Policia e Shtetit
Një ditë më parë, Policia e Shtetit u bëri apel qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo akt dhune gjatë protestës së paralajmëruar për mesditën e 24.10.2026.
Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i porositi drejtuesit dhe efektivët në terren të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë parimin e proporcionalitetit nëse do të përballen me situata të dhunshme.
Protesta, që vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes dhe përfshiu disa zona të ndryshme të kryeqytetit, u shoqërua me sulme të gjata ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit. Ata u goditën me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj prej druri e metali, mjete piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të pajisura me kapsolla, duke u vënë në rrezik jetën. Për pasojë, 5 punonjës policie mbetën të plagosur, si rezultat i sulmeve nga persona të maskuar dhe të dhunshëm.
Sa i takon incidentit ku 28-vjeçari E. V. pësoi dëmtime në sy, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë procedurat për hetim të plotë dhe të paanshëm të rrethanave të ngjarjes.
Edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, së bashku me Prokurorinë, kanë filluar hetimet për të sqaruar dhe dokumentuar ligjërisht rastin në fjalë.
Policia e Shtetit ka shprehur keqardhje për dëmtimin e të riut gjatë protestës dhe i uron shërim të shpejtë, duke uruar gjithashtu shërim të shpejtë për të gjithë qytetarët, gazetarët dhe efektivët e policisë të lënduar në ngjarjet e protestave në Tiranë.
Ndërkohë, pas publikimit në media të një rasti ku një efektiv policie është filmuar duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos respektuar parimin e proporcionalitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka marrë vendimin të pezullojë nga detyra inspektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, A. K., ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale po zhvillon hetim administrativ ndaj tij.
Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së çdo qytetari mbetet prioritet kryesor për Policinë e Shtetit, dhe çdo dyshim për tejkalim të detyrës do të hetohet në mënyrë të paanshme dhe profesionale.
Respektimi i ligjit, zbatimi i proporcionalitetit në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia personale janë parime thelbësore që nuk mund të neglizhohen në kryerjen e detyrës policore.
Policia e Shtetit nënvizon se është e vendosur të mos lejojë asnjë sjellje në kundërshtim me ligjin, të drejtat e qytetarëve dhe standardet profesionale që duhet të garantojnë veprimtarinë e çdo efektivi të saj.

