Letërsia qëndroi në qendër të vëmendjes gjatë natës së parë të edicionit të ri të “Za Fest”, që u hap në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës.
Dy nga figurat më të spikatura të letërsisë shqipe, Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro, ishin të ftuarat speciale të mbrëmjes, ku ndanë me të pranishmit mendime për poezinë, rëndësinë e saj dhe ndryshimet që ajo ka përjetuar ndër vite.
Publiku pati gjithashtu mundësinë të shohë një dokumentar që i kushtohej historikut të “Za Fest”, duke filluar nga edicioni i parë i mbajtur në Theth deri në ditët e sotme.
Mbrëmja u përmbyll me performancën muzikore të artistes Linda Rukaj, e cila solli për të pranishmit një atmosferë të veçantë. “Za Fest” këtë vit zhvillon edicionin e dhjetë, ndërsa dy netët pasuese të festivalit do të organizohen në kalanë e Rozafës.

