Institucionet shqiptare dhe ato malazeze kanë intensifikuar përgatitjet për hapjen e Pikës së Përbashkët Kufitare Zogaj – Ckla/Skje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen mes dy vendeve.
Gjatë një takimi të zhvilluar mes përfaqësuesve të doganave, policive kufitare, pushtetit vendor dhe strukturave të tjera përgjegjëse, u diskutua mbi ecurinë e punës dhe masat që duhen marrë për ta bërë pikën funksionale sa më shpejt.
Në fokus të bisedimeve ishin vendosja e infrastrukturës së nevojshme, përcaktimi i hapësirave të kontrollit dhe koordinimi mes institucioneve për përmbylljen e procedurave të mbetura. Qëllimi është që kalimi kufitar të jetë i aksesueshëm për qytetarët gjatë këtij sezoni veror.
Autoritetet vlerësojnë se hapja e kësaj pike do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit, do të afrojë më shumë komunitetet në të dy anët e kufirit dhe do të krijojë lehtësi për qarkullimin e vizitorëve.
Pika do të operojë me sistemin e kontrollit të përbashkët, ku procedurat kufitare do të kryhen në një ndalesë të vetme, duke shmangur kontrollet e dyfishta dhe duke ulur kohën e pritjes për udhëtarët.

