Shkelja e kufizimeve të shpejtësisë mbetet problemi kryesor në rrugët e Qarkut Fier, ku çdo javë rreth 1 mijë drejtues automjetesh ndëshkohen nga Policia Rrugore për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
Krahas vendosjes së gjobave, kontrollet e intensifikuara po zbulojnë edhe raste të tjera që paraqesin rrezik më të lartë për sigurinë rrugore. Të dhënat nga Policia e Fierit tregojnë se mesatarisht nga 3 deri në 4 persona arrestohen çdo javë për drejtim automjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.
Gjatë dy javëve të fundit, oficerët e policisë kanë kapur 5 persona në drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit, ndërsa 10 të tjerë janë konstatuar duke drejtuar pa patentë. Në dy raste, personat janë ndaluar menjëherë, ndërsa ndaj drejtuesve të tjerë është nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Edhe mjetet e transportit të specializuar nuk kanë shpëtuar nga kontrollet. Policia ka identifikuar shkelje si drejtimi pa licencë të posaçme dhe transportimi i pasagjerëve përtej kapacitetit të lejuar nga ligji.
Policia Rrugore bën të ditur se operacionet e kontrollit dhe masat ndëshkuese do të vazhdojnë në të gjitha akset rrugore të Qarkut Fier, me vëmendje të shtuar ndaj shkeljeve që rrezikojnë sigurinë e përdoruesve të rrugës.

