Një zjarr masiv ka përfshirë një fermë blegtorie në Patos, duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe humbje në bagëti.
Zjarri u shfaq rreth mesditës dhe mori përmasa të mëdha për shkak të temperaturave të larta dhe sasisë së madhe të ushqimit të ruajtur për bagëtitë. Fermerët së bashku me banorët lokalë u angazhuan menjëherë për të penguar përhapjen e flakëve dhe për të shpëtuar gjënë e gjallë, derisa mbërritën zjarrfikësit e Patosit.
Për shkak të madhësisë së zjarrit dhe frikës së përhapjes, u thirrën në ndihmë edhe ekipe nga zjarrfikësit e Fierit. Pas disa orësh ndërhyrjeje intensive, ata arritën të vendosin situatën nën kontroll dhe të parandalojnë zgjerimin e flakëve në ndërtesat përreth fermës.
Sipas të dhënave paraprake, janë djegur mbi 10 krerë bagëti, ndërsa janë shkatërruar sasi të mëdha ushqimi për kafshët, pajisje bujqësore dhe stalla e fermës.
Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë bashkë me grupin hetimor, të cilët kanë filluar punën për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.

