Pas shpalljes së vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Idriz Thaçi ka shkuar të takojë vëllain e tij, ish-presidentin Hashim Thaçi, në qendrën e paraburgimit.
Pasi përfundoi vizita, Idriz Thaçi bëri të ditur se ky vendim nuk ka ndikuar aspak tek qëndrueshmëria dhe qëndrimi i ish-presidentit. Ai theksoi se, pavarësisht zhvillimeve të fundit, Hashim Thaçi vazhdon të mbajë të njëjtin besim.
Sipas Idriz Thaçit, Hashim Thaçi u ka kërkuar familjarëve, miqve dhe qytetarëve që të ruajnë besimin dhe të jenë të durueshëm deri në vazhdimin e procesit gjyqësor.
“Ishte mirë dhe stoik. Vendimi i sotëm nuk ia ka humbur besimin”, deklaroi Idriz Thaçi për “Nacionale”.
“Presim që kjo padrejtësi të korrigjohet në shkallën e dytë”, shtoi më tej ai.

