Një ngjarje që filloi me alarm dhe që mobilizoi forcat e shpëtimit në bregun e Shëngjinit ka përfunduar në një mënyrë sa të çuditshme, aq edhe komike, sipas mediave në Kosovë.
Siç raportohet, një pushues nga Kosova është raportuar si i zhdukur në det, duke ngritur shqetësimin se ai mund të kishte përfunduar në telashe. Menjëherë është organizuar një operacion kërkimi, ku për rreth tre orë, mjetet lundruese dhe ekipet e shpëtimit shqyrtuan zonën detare me shpresën se do të gjenin atë.
Por ndërsa kërkimet vazhdonin në ujë, “i humburi” ishte në fakt… në tokë.
Burimet në Kosovë tregojnë se bashkëshortja e tij e gjeti atë të shëndoshë e mirë në një kafene afër plazhit, ku ai po shijonte kohën pa e ditur se ishte bërë pjesë e një operacioni kërkim-shpëtimi.
Raportohet se ai kishte braktisur plazhin pa e njoftuar familjen, duke shkaktuar panik dhe aktivizuar autoritetet.
Falë zotësisë së bashkëshortes, gjithçka përfundoi pa pasoja, duke e lënë këtë episod si një kujtesë se ndonjëherë një kafe e pa-paralajmëruar mund të nxisë alarmin në të gjithë plazhin.

