Pas shumë vitesh larg vendlindjes, gazetari veteran Zef Nika është rikthyer këtë verë në Shllak, duke gjetur një realitet krejt ndryshe nga ai që kishte lënë pas.
Udhëtimi drejt shtëpisë së tij, i cili dikur shoqërohej me frikë dhe pasiguri për shkak të gjendjes së rënduar të rrugës së Komanit, tashmë është transformuar. Për Nikën, ndryshimi i këtij aksi nuk është thjesht një investim në infrastrukturë, por realizimi i një dëshire të kahershme.
Gjatë karrierës së tij si gazetar, ai ka raportuar vazhdimisht për aksidentet tragjike që ndodhnin në segmentin Vau i Dejës–Koman, një rrugë që për vite me radhë u konsiderua ndër më të rrezikshmet në vend dhe u bë shkak për dhjetëra viktima e të plagosur.
Sot, falë investimit të realizuar nga KESH, 32 kilometrat e këtij aksi janë rikonstruktuar plotësisht, duke krijuar një rrugë moderne dhe më të sigurt për banorët dhe vizitorët.
Rruga e re jo vetëm që ka përmirësuar lëvizjen në zonë, por ka forcuar edhe lidhjen me disa prej destinacioneve më të rëndësishme turistike të veriut, si Liqeni i Komanit, Lumi i Shalës, Valbona, Thethi, Currajt e Epërm dhe më tej me Kosovën, duke i dhënë një tjetër perspektivë zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë së zonës.
Burimi: Portali Veriu Sot

