Papa Leoni i Katërmbëdhjetë i është nënshtruar me sukses një operacioni për heqjen e një mase nga mushkëritë. Vatikani ka konfirmuar lajmin, duke sqaruar se procedura u zhvillua sipas pritshmërive dhe se Ati i Shenjtë tashmë ndodhet në dhomën e tij në spitalin Gemelli, në Romë.
Kirurgjia iu bë Papës 71-vjeçar, pasi gjatë ekzaminimeve të rregullta mjekësore u zbulua masa në mushkëri. Lajmin për gjendjen e tij Papa e komunikoi vetë të dielën, duke theksuar se “noduli ishte zbuluar në një fazë shumë të hershme” dhe se mjekët i kishin rekomanduar ndërhyrje të menjëhershme për largimin e tij.
Para se Papa të mbërrinte në spital, dhjetëra besimtarë ishin mbledhur për ta pritur, duke i dhënë mbështetje dhe duke uruar shërim të shpejtë. Ai i përshëndeti përmes dritares së makinës, duke u kthyer buzëqeshje dhe përshëndetje.
Sipas njoftimit të fundit mjekësor nga Vatikani, Papa Leoni XIV është diagnostikuar me adenokarcinomë të mushkërisë, një lloj kanceri pulmonar. Gjatë operacionit, mjekët realizuan heqjen e lobit të poshtëm të mushkërisë së djathtë, në një procedurë që zgjati rreth 90 minuta dhe përfundoi pa ndërlikime. Autoritetet e Vatikanit bënë të ditur se “diagnoza u konfirmua gjatë ndërhyrjes, ndërsa Papa është zgjuar normalisht”.
Për të mundësuar rikuperimin e nevojshëm, axhenda publike e Papës është pezulluar deri më 20 tetor. Megjithatë, ai synon të realizojë vizitën e planifikuar në Amerikën Latine në fillim të nëntorit, ku përfshihet edhe Peruja – vend në të cilin ka shërbyer si misionar dhe më pas si ipeshkëv për shumë vite.
Lajmi ka shqetësuar komunitetin katolik në mbarë botën, por zyrtarët e Vatikanit shprehin optimizëm lidhur me qetësinë e Papës dhe besimin se ai do të rikthehet plotësisht në detyrë.

