Një grup organizatash të shoqërisë civile kanë reaguar publikisht lidhur me ngjarjet e protestës së 2 korrikut 2026 para Kuvendit të Shqipërisë, duke shprehur shqetësim për pretendimet e përdorimit të forcës në mënyrë joproporcionale nga punonjës të Policisë së Shtetit dhe për trajtimin e protestuesve të arrestuar.
Në deklaratën e tyre, organizatat theksojnë se dënojnë çdo akt dhune, përfshirë dëmtimet e raportuara ndaj Komisariatit Nr. 3 në Tiranë më 4 korrik, por nënvizojnë se veprimet e individëve të veçantë nuk mund të përdoren për të kriminalizuar një protestë paqësore apo për të justifikuar keqtrajtimin e personave të ndaluar.
Sipas deklaratës, disa protestues të arrestuar gjatë protestës janë liruar nga gjykata më 5 korrik, ndërsa për një pjesë të tyre është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Organizatat bëjnë të ditur se kanë marrë pretendime nga protestues dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë për përdorim force gjatë arrestimit dhe transportimit në komisariat, si dhe për pengesa në kryerjen e ekzaminimeve mjekësore të pavarura dhe aksesin te avokatët.
Në veçanti, përmenden dëshmitë e dy protestuesve, të cilët pretendojnë se janë shtrirë në tokë, janë goditur me grushte, shkelma dhe shkopinj gome edhe pasi ishin neutralizuar dhe prangosur. Gjithashtu, njëri prej tyre pretendon se është dhunuar edhe brenda automjetit të policisë gjatë transportimit drejt komisariatit.
Shoqëria civile kërkon që çdo pretendim për keqtrajtim të hetohet menjëherë, në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe efektive, ndërsa i bën thirrje institucioneve shtetërore të shmangin çdo deklaratë që mund të paragjykojë rezultatet e hetimit.
Deklarata është firmosur nga disa organizata të shoqërisë civile, mes tyre edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

