Një tjetër klub futbolli pritet t’i bashkohet skenës sportive në Shkodër. Bëhet fjalë për North United, një projekt i ri që do ta nisë rrugëtimin në futbollin shqiptar nga Kategoria e Tretë, duke filluar nga sezoni 2026-2027.
Sipas informacioneve të siguruara, procedurat administrative për regjistrimin e klubit kanë përfunduar dhe dokumentacioni është dorëzuar pranë FSHF-së, ku ka marrë edhe miratimin fillestar. Kjo do të thotë se projekti tashmë është pranë fazës së kalimit nga formalizimi në krijimin e ekipit.
Pas North United mësohet se qëndron një investitor nga Katari, i cili ka vendosur të financojë këtë nismë me synimin për të ndërtuar një klub me objektiva afatgjata. Ideja është që skuadra të krijojë identitetin e saj dhe, përmes një zhvillimi gradual, të synojë ngjitjen në kategoritë më të larta të futbollit shqiptar.
Ende nuk janë bërë publikë emrat e drejtuesve të klubit. Sipas burimeve pranë projektit, në drejtimin e tij pritet të jenë disa emra të njohur të futbollit shkodran, me eksperiencë si në fushën e lojës, ashtu edhe në menaxhim. Identitetet e tyre pritet të bëhen të ditura në prezantimin zyrtar të North United.
Në pankinë, ndërkohë, është përcaktuar edhe trajneri. Ekipi do të drejtohet nga Erjon Mani, i cili sezonin e kaluar ishte në krye të Basanias. Tekniku shkodran do të ketë përgjegjësinë për ndërtimin e skuadrës dhe përgatitjen e saj për debutimin në Kategorinë e Tretë.
Në ditët në vijim pritet të nisin edhe stërvitjet e para, ndërsa klubi po përgatitet për prezantimin zyrtar të projektit, stafit dhe futbollistëve.
Me hyrjen e North United në garë, Shkodra pritet të ketë një tjetër përfaqësuese në futbollin shqiptar, me një projekt që synon të shtrihet përtej sezonit të parë dhe të ndërtojë gradualisht një klub konkurrues.
Burimi: Gazeta Shkodra Sport

