Ndotja në ish-Metalurgjikun e Elbasanit, Prokuroria nis hetimet ndaj AlbChrome: AKM ngre alarmin për mbetje kancerogjene

Publikuar me datë:

Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet penale ndaj kompanisë “AlbChrome”, pas konstatimeve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) për ndotjen në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik. Në raportin e saj, AKM evidenton depozitimin prej vitesh të mbetjeve industriale në mjedis të hapur, pa masa të përshtatshme sigurie, duke ngritur shqetësime serioze për rrezikun ndaj shëndetit të banorëve dhe mjedisit. Sipas raportit, bëhet fjalë për mbetje të krijuara nga proceset industriale, të përftuara nga pluhurat e kapëseve, të cilat janë akumuluar për një periudhë të gjatë dhe janë depozituar pa respektuar standardet e nevojshme për administrimin e tyre.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit i cilëson këto mbetje si me rrezikshmëri shumë të lartë, duke evidentuar praninë e përbërësve potencialisht kancerogjenë. Konstatimet kanë ngritur shqetësime për pasojat e mundshme që kjo ndotje mund të ketë në shëndetin e komunitetit dhe në mjedisin përreth. Procedimi penal është urdhëruar nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i cili ka vendosur ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme.

Grupi përbëhet nga tre prokurorë dhe dy hetues, të cilët do të administrojnë dokumentacionin dhe provat përkatëse, si dhe do të kryejnë veprimet e nevojshme për hetimin e çështjes. Ndër veprimet e para është urdhëruar këqyrja e vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin e situatës në terren, identifikimin e mbetjeve të depozituara dhe dokumentimin e gjendjes mjedisore.

  • Prokuroria e Elbasanit

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related