Një organizatë kriminale që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e drogës, përfshirë “kokainën rozë”, është goditur nga policia greke në ishullin e Mykonos.
Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së premtes, më 21 gusht, ku u koordinuan kontrolle të njëkohshme si në Mykonos ashtu edhe në Atikë. Gjatë aksionit, u vunë në pranga 9 pjesëtarë të grupit kriminal, ndërsa një 22-vjeçar u arrestua për posedim droge.
Nga hetimet e kryera nga Nëndrejtoria e Narkotikëve në Policinë e Greqisë rezultoi se grupi vepronte me një strukturë të qartë dhe të mirorganizuar, duke ndjekur një hierarki të përcaktuar.
Struktura dhe veprimi i rrjetit
Autoritetet greke bëjnë me dije se drejtimin e rrjetit e mbante një 35-vjeçar, i cili siguronte lëndët narkotike dhe organizonte dërgimin e tyre drejt ishullit. Banesa e tij shërbente si depo për ruajtjen, përpunimin dhe shpërndarjen e drogës, ndërsa ai menaxhonte edhe fitimet që gjeneronte aktiviteti kriminal.
Po ashtu, një tjetër 35-vjeçar ishte zëvendësuesi i tij, i cili përveçse mbante përgjegjësi për ruajtjen e drogës, merrej me kërkimin e klientëve dhe furnizimin e shpërndarësve.
Brenda organizatës vepronte një 54-vjeçare në rolin e “arkëtares”, e dyshuar për mbajtjen e shumave të parave dhe transferimin e të ardhurave kriminale nga Mykonosi në Athinë.
Ndërkohë, një 34-vjeçar që punonte si shofer transporti VIP akuzohet se përdorte profesionin për të hyrë në kontakte me turistët dhe për t’u shitur atyre lëndë narkotike.
Po ashtu, pjesë e aktivitetit ishin dhe 5 anëtarë të tjerë të grupit, të moshave mes 24 dhe 34 vjeç, që vepronin si shoferë apo shoqërues.
Fitime mbi 170 mijë euro
Policia greke llogarit se fitimet e paligjshme të gjeneruara nga droga e sekuestruar, bashkë me sasinë e parave të kapura gjatë operacionit, tejkalojnë vlerën prej 170 mijë eurosh.
Gjithashtu, rezulton se 4 nga të arrestuarit kishin qenë edhe më parë të evidentuar nga organet ligjzbatuese për vepra të ngjashme penale.
Hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet vazhdojnë.

