Kalaja e Shkodrës, magnet për turistët: Mbi 108 mijë vizitorë në shtatë muaj

Publikuar me datë:

Kalaja e Shkodrës po konsolidon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj si një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit kulturor në Shqipëri. Vetëm gjatë periudhës janar–korrik 2026, Parku Arkeologjik i Shkodrës ka regjistruar 108 mijë e 150 vizitorë, duke e renditur atë ndër pikat e trashëgimisë kulturore me fluksin më të lartë në vend.

Numri i vizitorëve mbetet i lartë edhe gjatë muajit gusht. Krahas turistëve të huaj, në Kala mbërrijnë edhe shumë shqiptarë nga qytete të ndryshme dhe emigrantë që zgjedhin të kalojnë pushimet në Shkodër. Historia e lashtë, por edhe pamja panoramike mbi qytetin, Liqenin e Shkodrës dhe lumenjtë përreth, vijojnë ta bëjnë kalanë një prej ndalesave të preferuara.

Fluksi në rritje është pjesë e një tendence më të gjerë pozitive për trashëgiminë kulturore në vend. Të dhënat për shtatë muajt e parë të vitit tregojnë se parqet dhe institucionet e trashëgimisë kulturore janë vizituar nga 824 mijë e 340 persona, vendas dhe të huaj, shifër që shënon një rritje prej 6.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në fokus është edhe përmirësimi i infrastrukturës përreth Kalasë së Shkodrës. Bashkia Shkodër ka prezantuar një projekt që parashikon krijimin e një hapësire parkimi për autobusët turistikë, si dhe rikualifikimin e shtegut historik që lidh zonën me kalanë.

Ndërhyrjet synojnë ta bëjnë më të lehtë aksesin për vizitorët dhe të përmirësojnë kushtet e pritjes në një prej monumenteve më të rëndësishme të qytetit. Shifrat e vizitueshmërisë tregojnë se Kalaja e Shkodrës mbetet një prej pikave kryesore të ofertës turistike dhe kulturore të Shkodrës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related