Pas vizitës së saj në Shqipëri, eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka shprehur reagimet e saj lidhur me protestën antiqeveritare që ka vazhduar për 42 ditë në Tiranë. Ajo mori pjesë në një mbledhje ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri, ku ngriti shqetësime mbi mbrojtjen e ambientit dhe respektoimin e standardeve evropiane.
Në një postim të saj pas kthimit, Guarda theksoi se gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, kishte dëgjuar zërat e qytetarëve dhe kishte vënë re, sipas saj, një konflikt mes interesave ekonomike dhe ruajtjes së natyrës.
“Kam dëgjuar shqetësimin e shumë njerëzve në terren, si edhe kam parë qëndrimin e papranueshëm të atyre që, në politikë, vazhdojnë ta vendosin mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve në plan të dytë. Sepse për ta, fitimi vjen i pari,” deklaroi eurodeputetja.
Ajo u përqëndrua në zonën e mbrojtur Vjosa–Nartë, e cila e konsideron si një nga rastet më shqetësuese, por nënvizoi se ky nuk është i vetmi problem që kërkon vëmendje. Sipas Guardës, procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në respekimin e vlerave evropiane, mbrojtjen e ambientit dhe angazhimin e qytetarëve në vendimmarrje.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të ndodhë në frymën e mbrojtjes së këtyre vlerave, të respektit për mjedisin dhe të angazhimit të komunitetit,” tha ajo.
Gjithashtu, eurodeputetja përmendi parimin e “moskthimit pas” në politikat mjedisore, që tregon se standardet e mbrojtjes së natyrës nuk duhet të dobësohen me kalimin e kohës.
Cristina Guarda shprehu vendosmërinë për të ndjekur nga afër këtë proces dhe për të raportuar mbi zhvillimet e ardhshme.
“Ky (dhe jo vetëm ky) është ai që pashë në Shqipëri javën e kaluar.
E tregova dhe ndava përvojën time gjatë mbledhjes ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri.
Kam dëgjuar shqetësimin e shumë njerëzve në terren, si edhe kam parë qëndrimin e papranueshëm të atyre që, në politikë, vazhdojnë ta vendosin mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve në plan të dytë. Sepse për ta, fitimi vjen i pari – një model zhvillimi ekonomik i papajtueshëm me shëndetin e territorit.
Zona e mbrojtur Vjosa–Narta është rasti shumë i rëndë mbi të cilin u përqendruam. Por nuk është i vetmi dhe mund të shërbejë si një mundësi për të reflektuar politikisht mbi vlerat evropiane.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të ndodhë në frymën e mbrojtjes së këtyre vlerave, të respektit për mjedisin dhe të angazhimit të komunitetit, duke garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Ai duhet të marrë parasysh edhe parimin e “moskthimit pas” në mbrojtjen e mjedisit (non-regression), që nënkupton se standardet e mbrojtjes së mjedisit nuk duhet të dobësohen.
Do të vazhdoj ta ndjek këtë proces dhe t’jua tregoj zhvillimet edhe në vijim,” përfundoi ajo.

