Gratë në Mal të Zi të diagnostikuara me sëmundje gjinekologjike që shkaktojnë menstruacione të dhimbshme do të përfitojnë nga dy ditë pushim të paguara çdo muaj.
Me këtë ndryshim ligjor, Mali i Zi kthehet në vendin e parë në Ballkan që miraton masa të tilla, duke synuar të mundësojë një balancë më të mirë mes shëndetit të grave dhe angazhimeve të tyre profesionale.
Këto ndryshime i përkasin Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.
Përfitimi i ri u dedikohet grave që vuajnë nga cikle menstruale të dhimbshme, të cilat janë pasojë e diagnozave si endometrioza, fibroidet, polipet apo sëmundje të tjera gjinekologjike.
Propozimi për ndryshimin e legjislacionit u dorëzua në mars të këtij viti nga deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviç, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Projektligji mori mbështetje unanime gjatë shqyrtimit në Komisionin e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe në Komisionin Legjislativ.
Ligji i rishikuar synon jo vetëm t’u japë më shumë lehtësi femrave në ditët e vështira, por edhe të përballet me diskriminimin me bazë gjinore në shoqëri.
Spanja është aktualisht vendi i vetëm në Europë që ka aplikuar leje menstruale në legjislacionin e saj.
Kjo çështje po diskutohet edhe në Itali dhe Hollandë.
Ndërkohë që debati në vendet evropiane vazhdon, disa shtete në Azi Lindore kanë dekada që e aplikojnë pushimin për arsye menstruale si standard.

