LVV-ja nominon Kurtin për kryeministër, partitë drejt finalizimit të listave të kandidatëve

Publikuar me datë:

Tri ditë para fundit të afatit për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, partitë politike në Kosovë kanë intensifikuar dinamikën e negociatave dhe finalizimit të listave.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të mbajtur të shtunën, partia në pushtet zyrtarizoi edhe një herë unanimisht Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.

Kryeministri në detyrë , Kurti, synon një mandat të ri pas fitores së LVV-së në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, fillimisht në shkurt dhe më pas në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.

Në të fundit, partia e tij mori mbi 51 për qind të votave dhe Kurti doli sërish si më i votuar. Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se, në zgjedhjet e 7 qershorit, synon të fitojë 60 për qind të votave.

LVV-ja tashmë ka konfirmuar edhe vazhdimin e koalicionit me Guxo-n, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.

Ndërkohë, sot do të mbajë mbledhje edhe Këshilli i Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku pritet të qartësohet një prej zhvillimeve kryesore politike para këtyre zgjedhjeve: rikthimi i ish-presidentes Vjosa Osmani në një listë të përbashkët me LDK-në.

Para largimit, Osmani kishte qenë një nga figurat më të votuara të LDK-së dhe, në karrierën e saj politike, ka ushtruar funksione të rëndësishme institucionale, përfshirë atë të presidentes dhe deputetes.

Raportet e saj me strukturat e atëhershme të LDK-së u përkeqësuan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I. Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa më pas formoi subjektin e saj politik, Lista Guxo.

Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi mandatin deri në përfundim, por mosmbështetja për një mandat të dytë nga LVV-ja prishi raportet mes tyre.

Analisti Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” e ka cilësuar afrimin Osmani-LDK si “risinë kryesore” të këtyre zgjedhjeve, duke vlerësuar se efekti elektoral i saj mund ta forcojë dukshëm listën e LDK-së.

Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë oferta për zgjerimin e listës së saj zgjedhore me parti të tjera që vendosën të mos garojnë të vetme.

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në listën e PDK-së.

Në një letër drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Limaj ka shprehur gatishmërinë për “bashkëpunim dhe bashkim politik” në funksion të krijimit të një alternative të përbashkët opozitare.

PDK-ja deri tash nuk ka dalë me një qëndrim publik për ofertën e Nismës.

Limaj gjithashtu kishte qenë ndër figurat më të votuara të PDK-së në të kaluarën, para ndarjes së tij nga kjo parti dhe krijimit të NISMA-s.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tri koalicione janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi të vetme ose në koalicion.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese. Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve në Kosovë, pas atyre të shkurtit dhe dhjetorit 2025./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Zjarr i përmasave të mëdha në Nju Delhi, mbi 21 viktima

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shkaktuar të...

Protestat për Zvërnecin/ Gazetari: Mesazhet e qytetarëve për qeverinë dhe opozitën

Gazetari Osman Stafa, në një intervistë në “News24” foli...

Shëtitorja e Shëngjinit larg standardeve dhe pa rregulluar, ankohen turistët

Edhe pse sezoni turistik ka nisur dhe Shëngjini pret...