Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike në Shkodër dhe kandidati i mëparshëm për deputet, Arben Lushaj, ka shprehur shqetësimin e tij pas publikimit të emrave të përzgjedhur nga Kryesia e Partisë Demokratike për Këshillin Kombëtar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushaj kritikoi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, duke sugjeruar se ai ishte i manipuluar dhe se disa figura të rëndësishme të Partisë Demokratike në Shkodër ishin lënë qëllimisht jashtë listës.
Lushaj ngre gjithashtu pikëpyetje në lidhje me rolin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar nga Shkodra gjatë procesit të votimit, duke pyetur nëse ata lobuan për kandidatët e qarkut apo pranuan pa reagim rezultatin. Ai gjithashtu ironizoi moszgjedhjen e Flamur Nokës në strukturat drejtuese, duke përfunduar me shprehjen: “Bota portokalli është.”
Postimi i plotë i Arben Lushajt është si në vijim:
“Duket se vetë Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, edhe pse i orientuar, ka lënë jashtë disa benjaminë të familjes me qëllim.
Emra me dinjitet si Andia, Editi, Eda dhe Ilda i bëjnë nder çdo subjekti, por Shkodra e klaneve nuk arriti të nxjerrë as të vetmin kandidat në atë listë.
Politika e madhe duket se është larg synimeve të ‘përfaqësuesve’ të demokratëve.
Kurioz jam, a votuan këta anëtarët e këshillit nga Shkodra për Tedin apo buzëqeshja iu ngri kur panë listën dhe doli në pah shpirti i tyre!?
Dhe një dilemë kam, a ka fjetur Flamuri tani që me votë s’është as në këshill, as në kryesi.
Si tha njëri; ‘bota portokall është’.”

