Temperaturat e larta të fundjavës kanë sjellë një fluks të konsiderueshëm pushuesish drejt bregdetit të Lezhës, duke shkaktuar kështu trafik të dendur në rrugët kryesore që çojnë në zonat turistike. Që nga ora e parë e mëngjesit të së shtunës, aksi Milot–Lezhë dhe rruga Lezhë–Shëngjin janë përballur me një rritje të madhe të qarkullimit të automjeteve. Në përgjigje të situatës, Policia Rrugore ka rritur praninë e saj në terren, duke monitoruar vazhdimisht lëvizjen dhe orientuar drejtuesit e mjeteve për të ndihmuar në lehtësimin e fluksit dhe parandalimin e bllokimeve të gjata.
Shtimi i numrit të pushuesve është i lidhur ngushtë me hyrjet e shumta nga Kosova. Sipas të dhënave të Policisë Kufitare dhe Migracionit në Kukës, nga orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune deri në mesditë, në territorin shqiptar kanë hyrë 10,874 shtetas të Kosovës, që udhëtuan me 3,712 automjete. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre pushuesve kanë zgjedhur bregdetin e Lezhës për të kaluar fundjavën. Autoritetet parashikojnë se fluksi i automjeteve do të mbetet i lartë gjatë gjithë fundjavës, veçanërisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, kur pritet kthimi i një pjese të pushuesve. Policia i bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin parakalimet e rrezikshme dhe të tregojnë durim në segmentet me trafik të rënduar.

