Në IEVP Shkodër, në burgun e Reçit, ka nisur sot viti i ri shkollor 2026–2027 për personat e privuar nga liria. Të dënuarit do të kenë mundësi të vijojnë arsimimin, të marrin njohuri të reja dhe të zhvillojnë aftësi që synojnë t’i ndihmojnë në rikthimin në shoqëri pas përfundimit të dënimit.
Hapja e vitit shkollor u zhvillua në bashkëpunim me Zyrën Vendore Arsimore Malësi e Madhe dhe me mbështetjen e drejtorit të shkollës “Kolë Martini” Dedaj, Palok Vruçaj. Në aktivitet ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mes tyre Sabah Halilaj.
Në kuadër të programeve të edukimit dhe formimit profesional, të burgosurit do të angazhohen gjatë vitit në aktivitete mësimore, me synim rehabilitimin dhe përgatitjen e tyre për jetën pas vuajtjes së dënimit.
“Përtej mureve dhe hekurave, arsimi shihet si një mundësi për ndryshim, rehabilitim dhe një rikthim më të mirë në shoqëri”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve.
Por Reçi nuk është një burg i zakonshëm. Brenda këtyre mureve vuajnë dënimin edhe disa prej personave të dënuar për veprat më të rënda penale në vend. Ndaj, përtej ceremonisë së nisjes së vitit shkollor, mbetet për t’u parë se sa ndikim do të kenë arsimi, librat dhe programet e rehabilitimit në ndryshimin e sjelljes së tyre dhe në mënyrën se si do të rikthehen një ditë në shoqëri.

