Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas operacionit të zhvilluar në Velipojë, ku u zbuluan dhe asgjësuan 7446 bimë të dyshuara kanabis.
Përmes një deklarate publike, Lamallari vlerësoi punën e Policisë së Shtetit për evidentimin e rastit, ndërsa theksoi se ndaj çdo punonjësi policie që dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimet ligjore do të ketë verifikim dhe përgjegjësi sipas ligjit.
Ministri bëri të ditur se ka kërkuar bashkëpunim të menjëhershëm mes Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për hetimin e plotë të rastit dhe sqarimin e çdo përgjegjësie të mundshme institucionale apo individuale.
Sipas tij, lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Brendshme dhe kërkon kontroll të vazhdueshëm të territorit, integritet nga strukturat ligjzbatuese dhe bashkëpunim me qytetarët.
Lamallari falënderoi gjithashtu qytetarët që denoncojnë aktivitetet e paligjshme, duke e cilësuar informacionin e tyre një element të rëndësishëm në goditjen e kriminalitetit.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë kur dështon të përmbushë detyrën e ngarkuar”, theksoi ministri në reagimin e tij.

