Të mërkurën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u takua me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje sa i përket zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.
Bisedimet u mbajtën në mjediset e Kuvendit të Kosovës dhe kishin si synim identifikimin e një kandidati të pranueshëm për të dy palët për postin e Presidentit, duke synuar kështu që të shmangin mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Para fillimit të takimit, Kurti deklaroi përfaqësuesve të mediave se procesi po zhvillohet me “vullnet të mirë” nga të gjitha palët, dhe nënvizoi se përmbajtja e diskutimeve do të mbetet e fshehtë derisa të arrihet një konsensus i qartë.
“Po vazhdojmë diskutimet me vullnet të mirë, ashtu siç jemi marrë vesh, në mënyrë që vendimin bashkërisht ta sjellim për emrin e presidentit apo presidentes së re dhe të evitojmë zgjedhjet e reja të panevojshme. Padyshim që do të jemi të hapur karshi jush sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje, duhet ta ruajmë konfidencialitetin. Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe sot pres më të mirën”, u shpreh Kurti.
Abdixhiku, nga ana e tij, nuk dha asnjë deklaratë për median përpara se të fillonte takimi.
Kjo rund i ri bisedimesh pason takimin e javës së kaluar ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut, ku fokusi ishte te karakteristikat dhe kriteret që duhet të plotësojë Presidenti i ardhshëm i Kosovës. Në vijim pritet që palët të përqendrohen edhe në diskutimin e kandidatëve të mundshëm për postin e kreut të shtetit.

