Kosovë/ “Vrasja e grave është alarm kombëtar”. Shoqëria civile ngrihet në protestë

Publikuar me datë:

“Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”. Kjo ishte kërkesa kryesore që u dëgjua në sheshin qendror të Prishtinës gjatë një tubimi të shoqërisë civile.

Ky organizim u mbajt vetëm pak ditë pasi Jetlira Foniqi, 25 vjeç, u vra nga bashkëshorti i saj në dhomën e gjumit ndërsa ishte 34 javëshe shtatzënë. Po ashtu, ngjarja ndodhi në sfondin e vrasjes së një gruaje 80-vjeçare në Prizren, e cila u vra nga burri i saj 81-vjeçar.

Qendresa Hyseni nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kritikoi ashpër, sipas saj, patriarkatin dhe institucionet e Kosovës.

“Sot na qitën prapë në rrugë edhe dy jetë grash të humbura. Jemi dalë zemërthyme e të revoltume me bërtitë që ky patriarkat që po i shndërron burrat në kriminela po vret gra cep më cep Kosovës. Kemi dalë se jemi të binduna që ne si çika e gra të këtij vendi po jetojmë në gjendje lufte”, tha Qëndresa Hyseni.

Ajo theksoi se protesta kishte për qëllim të denonconte, sipas saj, sistemin që nxit dhe mbron dhunën. Kërkesat kryesore të protestuesve përfshinin krijimin e një njësie të specializuar nga Qeveria për parandalimin e femicidit, ndërhyrje të drejtpërdrejta nga qëndrat sociale, sigurimin e financimeve të mjaftueshme për politika sociale që synojnë të reduktojnë pabarazitë gjinore dhe ekonomike që i mbajnë gratë të ekspozuara ndaj dhunës, si dhe përfshirjen e femicidit në Kodin Penal si një vepër e veçantë.

Gjatë vitit 2026, sipas Policisë së Kosovës, janë vrarë tre gra, ku autorët e këtyre krimeve ishin anëtarë të familjes së tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related