Një 29-vjeçar ka mbetur i vrarë mbrëmjen e së dielës në fshatin Pogragjë të Gjilanit, në Kosovë, pas të shtënave me armë zjarri. Policia është vënë në kërkim të një personi të dyshuar, i cili dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar vdekjen e 29-vjeçarit, e cila është konstatuar në vendngjarje nga ekipi mjekësor.
Sipas informacioneve fillestare të Policisë, viktima dhe i dyshuari kanë lidhje familjare. Mediat lokale kanë raportuar se i dyshuari mund të jetë babai i viktimës, por kjo rrethanë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
‘Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe operative për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit’, ka deklaruar Osmani.
Deri më tani, nuk janë bërë të ditura motivet e mundshme të vrasjes. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personit të dyshuar.

