Klevis Balliu, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe deputet, ka adresuar akuza të ashpra ndaj drejtuesve më të lartë të qeverisë, duke e përshkruar sjelljen e Policisë së Shtetit gjatë protestave të fundit si një akt dhune të rëndë në shërbim të interesave politike.
Gjatë një deklarate publike, Balliu u shpreh se përdorimi i armëve joletale dhe shkopinjve të gomës po i ekspozon të rinjtë që protestojnë në rrugët e Tiranës ndaj rrezikut për jetën.
Ai u ndal në ilustrimin e rasteve të forcës së tepruar, të ushtruar si në rrugë ashtu edhe në ambientet e paraburgimit, duke paralajmëruar për pasoja serioze në shëndetin e protestuesve:
“Të rinj dhe të reja janë goditur barbarisht në rrugët e vendit me shkopinj gome dhe plumba gome, duke vënë në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e tyre. Rasti i raportuar ku një qytetar u plagos në zonën abdominale nga një plumb gome është një kambanë alarmi për përmasat e rrezikut që sjell përdorimi i dhunës nga uniformat e shtetit.”
Për më tepër, Balliu dënoi rastet e raportuara të keqtrajtimit brenda komisariateve dhe ndalimet që i cilësoi të paligjshme:
“Po aq të rënda janë dëshmitë për dhunë ndaj qytetarëve brenda komisariateve. Është e papranueshme që qytetarët të ndalohen arbitrarisht në rrugë, pa një bazë të qartë ligjore. Rasti i dy të rinjve të ndaluar në zonën e Tajvanit ngre pikëpyetje serioze për ligjshmërinë e veprimeve policore, veçanërisht pas intervistës që ata kishin dhënë vetëm dy orë më parë.”
Balliu theksoi se forcat e rendit nuk mund të justifikohen pas urdhrave të eprorëve, ndërsa kërkoi hetim të plotë për të gjithë zinxhirin komandues që ka autorizuar përdorimin e dhunës ndaj protestuesve:
“Kush i jep këto urdhra dhe kush mban përgjegjësi për dhunën? Përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas maskave dhe uniformave. Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla duhet të japin përgjigje publike për qëndrimet e tyre. Urdhrat për këto veprime vijnë nga nivelet më të larta të pushtetit, askush nuk mund të pretendojë se nuk mban përgjegjësi.”
Sipas tij, asnjë formë imuniteti institucional nuk duhet të shërbejë për të mbrojtur ata që shkelin ligjin: “Çdo efektiv që shkel ligjin duhet të identifikohet dhe të mbajë përgjegjësi individuale. Uniforma nuk është imunitet për dhunën dhe urdhrat nuk janë justifikim për veprime të paligjshme. Është turp dhe përmbysje e çdo standardi të drejtësisë që studentët që protestojnë të përfundojnë pas hekurave, ndërsa Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla janë ende të lirë.”
Në mbyllje të reagimit, Balliu i bëri thirrje drejtësisë të ndërhyjë menjëherë dhe të sigurojë hetim të pavarur për çdo rast të dhunës të regjistruar gjatë protestave të fundit:
“Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj protestuesve, identifikimin e efektivëve përgjegjës, hetimin e pavarur të çdo rasti të dhunës dhe lirimin e çdo personi të ndaluar në mënyrë të paligjshme. Studentët nuk janë armiq të shtetit. Armiku i shtetit të së drejtës është çdo pushtet që përdor institucionet publike për të shtypur qytetarët dhe për t’iu shmangur llogaridhënies — ky armik ka emër dhe quhet Edi Rama.”

