Qyteti Chiari në Itali është ende nën shok pas vrasjes së Meleqe Lushës, 39 vjeç, e cila dyshohet se u qëllua me thikë për vdekje nga djali i saj 21-vjeçar, Eduart Xhani, në shtëpinë ku jetonin së bashku.
Kryetari i bashkisë Chiari, Gabriele Zotti, reagoi ndaj këtij akti të rëndë duke theksuar se ngjarja ka prekur thellë gjithë qytetin, dhe jo vetëm të afërmit ose ata që e njihnin familjen e viktimës.
Zotti vlerësoi Meleqe Lushën si një nënë të përkushtuar dhe punëtore, e cila kishte rritur të birin e saj vetëm, pas ndarjes nga bashkëshorti. Meleqe Lusha kishte punë në Spitalin Civil të Breshias. Katër vëllezërit e saj, të punësuar në ndërtim, i ishin gjithashtu mbështetje.
Sipas kryebashkiakut, edhe Eduart Xhani kishte kaluar fëmijërinë dhe arsimimin në Chiari, ndërkohë që deri më tani, për të nuk ishin shënuar asnjëherë probleme apo sjellje shqetësuese që të tërhiqnin vëmendjen e komunitetit.
“Është një djalë që deri më sot nuk ishte raportuar për probleme. Kjo e bën edhe më të vështirë të kuptohet se çfarë ka ndodhur dhe çfarë e ka çuar drejt dhunës”, deklaroi Zotti.
Pas ngjarjes së rëndë, 21-vjeçari u largua nga banesa në rrugën Tagliata, por më vonë u vetëdorëzua pranë Karabinierëve në Kremona.
Kryebashkiaku theksoi se është e rëndësishme që autoritetet të sqarojnë në detaje shkaqet dhe rrethanat e kësaj tragjedie, duke shtuar se shoqëria duhet ta shohë me reflektim një ngjarje të tillë.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe ecurinë e plotë të këtij krimi të rëndë.

