Në rajonet malore të Shqipërisë dhe Kosovës, zëri ka shërbyer për shekuj si mjet komunikimi dhe si thirrje që kalonte përtej largësive, duke mbartur me vete tradita, kujtime, histori dhe ndjenja të forta. Kënga Majë Krahu, e njohur ndryshe si “zëshmëria e maleve”, përfaqëson një trashëgimi unike të muzikës popullore, ku ndërthuren ngushtë historia dhe identiteti i këtyre trevave.
Kjo këngë tradicionale interpretohet vetëm me zë, pa asnjë instrument, dhe tingëllon fuqishëm në ajër, duke u përhapur nga një mal në tjetrin me anë të thirrjeve e përgjigjeve karakteristike. Vargjet e saj të shkurtra rrëfejnë ndodhi historike e akte guximi, ndërkohë që ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm në dasma, gëzime dhe festa, ku ka simbolizuar bashkësinë dhe identitetin komunitar.
Sot, janë ndërmarrë hapa për ta bërë këtë traditë pjesë të trashëgimisë botërore, nëpërmjet kandidimit për përfshirje në listën e UNESCO-s të trashëgimisë kulturore jomateriale që kërkon mbrojtje të menjëhershme. Kjo nisëm përfshin përgatitjen e një dosjeje të posaçme, të cilën po e realizojnë së bashku institucionet kulturore, studiues, etnomuzikologë dhe mbartës të kësaj tradite. Puna e grupit konsiston në dokumentimin e këngëtarëve që ende e interpretojnë në formën më të pastër, në grumbullimin e dëshmive historike, si edhe në theksimin e vlerave unike kulturore dhe artistike që kjo mënyrë këndimi përfaqëson.
Një fokus i veçantë i kushtohet hartimit të masave konkrete për ruajtjen dhe përcjelljen e këngës tek brezat e ardhshëm, në një kohë kur emigrimi dhe ndryshimet sociale rrezikojnë vazhdimësinë e saj. Përfshirja në UNESCO konsiderohet një hap vendimtar në ruajtjen dhe promovimin e Këngës Majë Krahu, për të bërë të mundur që kjo trashëgimi të mbetet e gjallë dhe të dëgjohet edhe jashtë maleve ku mori jetë.
Drejtimin e përgatitjes së dosjes e ka marrë përsipër Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS), nëpërmjet Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Në këtë proces janë përfshirë akademikë dhe etnomuzikologë të mirënjohur – të cilët më herët kanë hartuar edhe Dosjen e Lahutës – si dhe grupe kulturore nga Malësia e Madhe, Tropoja, Dukagjini dhe Shkodra, të angazhuar në identifikimin e interpretuesve të fundit që ruajnë origjinalitetin e kësaj tradite.

