KE vlerëson progresin e Shqipërisë, Komisioneri Dervishi ngre në Bruksel statusin e vendeve kandidate në transferimin e të dhënave

Publikuar me datë:

Gjatë takimit të 121-të Plenar të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), i mbajtur në Bruksel, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, ngriti në nivel evropian çështjen e vlerësimit të përparimit të vendeve kandidate në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Në një sesion diskutimi me Komisionerin Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, z. Michael McGrath, Komisioneri Dervishi theksoi arritjet e Shqipërisë në përshtatjen e legjislacionit të saj me Acquis-in e Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Me këtë rast, Dervishi nënvizoi se Shqipëria ka miratuar një ligj të ri për mbrojtjen e të dhënave që është plotësisht në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën 2016/680 për autoritetet e zbatimit të ligjit. Ai gjithashtu theksoi se vendi ka krijuar një autoritet mbikëqyrës të pavarur, në përputhje me standardet evropiane, dhe kontribuon që nga viti 2016 në aktivitetet e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) si vëzhgues.

Megjithatë, Dervishi vuri në dukje se, edhe me këtë përparim dhe nivel të lartë harmonizimi me standartet evropiane, Shqipëria vazhdon të konsiderohet një vend i tretë për qëllimet e transferimit të të dhënave personale.

Në këtë kontekst, ai e theksoi nevojën për një vlerësim objektiv të përparimit të vendeve kandidate, në përputhje me nivelin e harmonizimit të legjislacionit dhe kapaciteteve institucionale me Acquis-in e Bashkimit Evropian, duke kërkuar ritme më të shpejta në këtë proces.

Kurse Komisioneri Evropian Michael McGrath, në përgjigjen e tij, e vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e përshtatshmërisë me standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave. Ai nënvizoi se marrëdhënia e Bashkimit Evropian me Shqipërinë në këtë fushë është pjesë e një procesi më të gjerë dhe ambicioz që lidhet ngushtë me procesin e anëtarësimit, duke përfshirë një nivel më të avancuar integrimi sesa një vendim specifik për përshtatshmërinë (adequacy). McGrath gjithashtu theksoi se transferimet e të dhënave personale mund të realizohen në përputhje me mekanizmat dhe instrumentet e parashikuara nga legjislacioni aktual.

Gjatë kësaj mbledhjeje plenare, pjesëmarrësit diskutuam gjithashtu për një sërë çështjesh të rëndësishme lidhur me zhvillimet më të fundit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në Bashkimin Evropian. Këto përfshinin anonimizimin e të dhënave, njoftimin për shkeljet e sigurisë, ndikimin ndërmjet Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) dhe Aktit për Tregjet Digjitale (Digital Markets Act), si dhe sfidat që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja.

Pjesëmarrja aktive e Autoritetit Shqiptar në punimet e EDPB-së dhe diskutimet në nivel të lartë evropian theksojnë angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për të përmbushur standardet e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, si një pjesë thelbësore e procesit të integrimit evropian dhe forcimit të të drejtave themelore të qytetarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Nga zjarret tek uraganet, ja cilat janë vendet më të të prekura nga fenomeni “El Niño”

Shkencëtarët amerikanë kanë konfirmuar se fenomeni klimatik i njohur...

Influencerja me jastëk me vete: Po qe nevoja do e gdhijmë poshtë zyrës së Ramës

Influencerja Griselda Katirai është paraqitur në protestë e sotme...

Për herë të parë që nga 2013, Banka Qendrore Evropiane rrit normat e interesit

Banka Qendrore Evropiane rriti normat e interesit për herë...