Shqipëria merr pjesë këtë të martë, më 26 maj, në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim. Takimi, që do të zhvillohet në Bruksel, pritet të fokusohet te hapat e mëtejshëm të Grupkapitullit “Themeloret”. Aty përfshihen çështje që lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, sigurinë, funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike dhe kriteret ekonomike.
Nga ana e Bashkimit Evropian, konferenca do të kryesohet nga zëvendësministrja për Çështjet Evropiane të Qipros, Marilena Raouna, ndërsa në takim do të marrë pjesë edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Sipas axhendës së publikuar nga BE, konferenca është planifikuar të nisë në orën 19:30, në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Takimi zhvillohet pas një serie konferencash ndërqeveritare gjatë të cilave janë hapur grupkapituj të ndryshëm negociues, përfshirë “Themeloret”, “Tregun e Brendshëm”, “Konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse”, “Agjendën e gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme”, “Burimet, bujqësinë dhe kohezionin”, si dhe “Marrëdhëniet e Jashtme”.
Zyrtarët evropianë kanë theksuar se faza aktuale e procesit do të fokusohet te rezultatet konkrete. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar më herët se “mbyllja e grup-kapitujve është çmimi real për Shqipërinë”, duke nënvizuar rëndësinë e përmbushjes së reformave dhe kritereve të kërkuara nga BE-ja.
“Vijoni me reformat”, ka qenë një prej mesazheve të përsëritura nga përfaqësuesit ndërkombëtarë gjatë këtij procesi, ndërsa autoritetet shqiptare kanë pranuar se disa fusha mbeten ende sfiduese.
Konferenca e 8-të konsiderohet një etapë e rëndësishme për vijimin e procesit të negociatave, pasi diskutimet pritet të përqendrohen te përmbushja e kushteve të ndërmjetme që ndikojnë në ritmin e mëtejshëm të integrimit evropian të Shqipërisë. Sipas metodologjisë së re të zgjerimit të BE-së, progresi në Grupkapitullin “Themeloret” mbetet kyç për avancimin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit. /Lapsi.al

