SHBA ka prezantuar monedhën 1 dollar të vitit 2026 me titullin “Presidenti i SHBA-së, Donald J. Trump”, duke shënuar për herë të parë që një president amerikan në detyrë paraqitet në një monedhë të destinuar për përdorim të përditshëm. Sipas autoriteteve ekonomike, monedhat tashmë kanë hyrë në qarkullim.
Të enjten, Zyra e Monedhave Amerikane njoftoi se “dollari i artë” me portretin e Presidentit Donald Trump është tashmë pjesë e qarkullimit dhe mund të blihet nga koleksionistët.
Çmimi i produkteve është 61 dollarë për një rrotull prej 25 monedhash dhe 154.50 dollarë për një qese që përmban 100 copë.
Për ta gjetur një monedhë të tillë në transaksione të përditshme, kërkohet pak durim, pasi monedhat e dollarit preferohen më shumë nga koleksionistët dhe qarkullojnë dukshëm më pak sesa kartëmonedhat.
Koleksionistët kanë një tjetër element për të kërkuar: më 4 korrik u prodhuan 250,000 monedha të cilat mbajnë shenjën speciale “4 Korriku”.
Megjithëse ka ngjyrë ari, përbërja e monedhës nuk përfshin ar; ajo përbëhet nga 88.5% bakër dhe përzierje të vogla zinku, mangani dhe nikeli.
Kryegdhendësi Joseph Menna krijoi anën e përparme të monedhës sipas një fotografie zyrtare të bërë nga Shtëpia e Bardhë, duke paraqitur Trumpin me fytyrë nga përpara poshtë mbishkrimeve “FREEDOM”, “IN GOD WE TRUST” dhe datës së dyfishtë 1776 deri në 2026.
Në anën e pasme shfaqet Vula Presidenciale, e cila u skalit fillimisht nga ish-kryegdhendësi Frank Gasparro, ku mbi mburojën e shqiponjës është shënuar numri 250 për të shënuar përvjetorin e 250-të të krijimit të vendit.
Një rast i ngjashëm ekziston edhe më parë, ndonëse jo në të njëjtën mënyrë.
Calvin Coolidge është shfaqur së bashku me George Washington në monedhën gjysmë dollar të vitit 1926, dedikuar 150 vjetorit të pavarësisë amerikane, duke u bërë presidenti i parë amerikan i gjallë që paraqitet në një monedhë amerikane.
Sidoqoftë, ajo ishte një monedhë përkujtimore dhe nuk kishte qëllim përdorimin e përditshëm. Ligjshmëria për monedhën e Trump është vënë në diskutim.
Në përgjithësi, legjislacioni amerikan ndalon përdorimin e portreteve të njerëzve të gjallë në monedha, ndërsa administrata ka përdorur Aktin e Ridizajnimit të Monedhave të Koleksionueshme në Qarkullim të vitit 2020, të firmosur nga Trump gjatë mandatit të tij të parë, që lejon prodhimin e monedhave 1 dollar me dizajne të përvjetorit gjatë vitit 2026.
Procesi i dizenjimit të kësaj monedhe gjithashtu ka hasur kritika.
Komisioni i Arteve të Bukura të SHBA-së kishte propozuar një portret profili dhe një version tjetër të shqiponjës, por asnjë prej sugjerimeve nuk u pranua, ndërkohë që Komiteti Këshillimor i Monedhave të Qytetarëve, që shqyrton zakonisht dizajnet e reja, e refuzoi diskutimin për këtë monedhë.

