Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Një 21-vjeçar ka vrarë me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, në banesën e tyre familjare në rrugën Tagliata, në qytetin e Chiari-t, në provincën e Brescias.
Pas krimit, i riu është larguar nga banesa, ndërsa më vonë është paraqitur vetë në kazermën e karabinierëve në Cremona, ku ka treguar atë që kishte ndodhur.
Sipas mediave italiane, djali është identifikuar si Eduart Xhani, i lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës.
Ishin karabinierët që, pas informacionit të dhënë nga 21-vjeçari, shkuan në banesën familjare, ku gjetën trupin e pajetë të 39-vjeçares.
Hetimet për zbardhjen e krimit
Në vendngjarje kanë mbërritur specialistët e Seksionit të Hetimeve Shkencore të Komandës Provinciale të Karabinierëve të Brescias, të cilët kanë kryer ekspertizat dhe mbledhjen e provave.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të zbardhur motivin që çoi në këtë krim të rëndë.
Deri më tani, autoritetet italiane nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë nën rezervën e plotë të autoriteteve.
