Erkan Nika, 28-vjeçari me origjinë nga Malësia e Madhe, vijon të rezultojë i zhdukur pas sulmit me dron ndaj anijes së mallrave “Aroyat”, pranë portit rus të Novorossiysk, në Detin e Zi. Babai i tij, Rexh Nika, u është drejtuar me një apel institucioneve shqiptare dhe autoriteteve të vendeve përreth, me shpresën për të mësuar se çfarë ka ndodhur me të birin.
Anija turke, e cila ishte nisur nga porti i Durrësit, kishte në bord 16 pjesëtarë të ekuipazhit. Sipas informacioneve të publikuara, 15 prej tyre kanë arritur të shpëtojnë, ndërsa për Erkan Nikën nuk ka ende një informacion të konfirmuar mbi fatin e tij.
Familja e 28-vjeçarit jeton në Turqi që prej vitit 1997, ndërsa ai punonte prej disa vitesh si inxhinier në anije mallrash.
Në një intervistë, Rexh Nika ka kërkuar që spitalet, policia dhe institucionet përgjegjëse në Rusi, Gjeorgji dhe vendet e tjera përreth Detit të Zi të verifikojnë të dhënat për persona të plagosur, pacientë të paidentifikuar apo individë të gjetur përgjatë vijës bregdetare.
“U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, të gjitha institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, personave të plagosur, ose individë të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë”, është shprehur ai.
Babai ka rrëfyer gjithashtu komunikimin e fundit me të birin, i cili i kishte shkruar se ndodhej në Detin e Zi, një ditë para sulmit.
Sipas tij, mesazhi i fundit ishte marrë në mëngjesin e 26 shtatorit, në orën 08:39, pasi ai i kishte dërguar të birit një mesazh mbrëmjen e mëparshme.
“Me djalin, mesazhin e fundit e kam ditën e mërkurë, më 25 shtator. Në darkë, para se të flija, i kam bërë mesazh, një lutje. Ma ktheu përgjigjen të nesërmen në orën 08:39. ‘Jemi në Detin e Zi’, më ka thënë”, ka treguar Rexh Nika.
Sulmi ndaj anijes “Aroyat” ndodhi më 27 shtator. Që prej asaj dite, familja nuk ka marrë ende një përgjigje përfundimtare për fatin e 28-vjeçarit dhe shpreson që kontrollet e autoriteteve të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e tij.
Imazhi nga Portali Veriu Sot

