I dyshuari për vrasjen e tre shtetasve në Danillovgrad të Malit të Zi ka ndërruar jetë pasi qëlloi me armë në drejtim të policisë dhe më pas kreu vetëvrasje.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në Herceg Novi, ku forcat e policisë kishin lokalizuar dhe rrethuar 30-vjeçarin rus Mihail Nikolajeviç Shabunin.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Policisë, Lazar Shqepanoviq, i dyshuari hapi zjarr ndaj efektivëve përpara se t’i jepte fund jetës.
Policia e dyshon Shabuninin për vrasjen e Petar Globareviç, 24 vjeç, nga Podgorica; Momir Radonjiç, 67 vjeç, nga Danillovgradi; dhe Nemanja Kapor, 20 vjeç, nga Podgorica.
Tre viktimat dyshohet se u qëlluan një ditë më parë në poligonin e qitjes “Çeshka Zbrojevka” në Danillovgrad.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.

