Biznesmeni shkodran, Alban Thika ka reaguar pas “Letrës së Hapur” të publikuar nga Marjana Koçeku kundrejt kryeministrit Rama, duke i dhënë asaj një këshillë publike për mënyrën se si duhet ta përjetojë mandatin e saj politik.
Në reagimin e tij, Thika thotë se sheh dy perspektiva mbi fenomenin e dorëheqjes së Koçekut nga partia. Sipas tij, e para lidhet me një reflektim të sinqertë dhe një krizë identiteti politik që ka krijuar mjegull dhe paqartësi rreth profilit të saj publik.
Ndërsa perspektiva e dytë, sipas Thikës, lidhet me rrezikun që komentet e vazhdueshme politike të krijojnë perceptimin se ajo po luan një rol në një skenar të mirëkalkuluar politik.
“Prandaj këshilla ime e sinqertë dhe publike është kjo: përjetoje mandatin për aq kohë sa të zgjasë me qetësi dhe përulësi. Fol vetëm kur është e domosdoshme, dëgjo më shumë sesa flet, mos u bë pjesë e provokimeve dhe mos u përpiq të justifikosh çdo hap”, shkruan ai.
Në fund të reagimit, Thika përdor edhe një krahasim me besimin fetar, duke theksuar se përgjegjësia morale nuk qëndron te justifikimi i gabimeve pas kryerjes së tyre, por te përpjekja për t’i shmangur ato.
Sipas tij, “heshtja është strategjia më e fortë politike dhe reflektimi është forma më e lartë e fisnikërisë”, ndërsa i bën thirrje Koçekut që të lërë kohën, sjelljen dhe integritetin e saj të flasin përpara publikut.

