Kontrollet e Policisë Rrugore janë shtuar gjatë muajit gusht në rrugët e qarkut të Lezhës, me synim evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në qarkullim.
Sipas bilancit të bërë publik nga Policia Rrugore Lezhë, 2806 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për tejkalim të shpejtësisë. Në 529 raste, përveç masës administrative, është pezulluar edhe leja e drejtimit dhe janë zbritur pikë nga patenta.
Një tjetër shifër e lartë lidhet me parakalimet e gabuara. 2059 drejtues janë ndëshkuar për këtë shkelje, ndërsa 214 drejtues automjetesh dhe motomjetesh janë konstatuar duke drejtuar nën efektin e alkoolit.
Kontrollet kanë çuar edhe në procedime penale. 12 drejtues janë referuar në Prokurori për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Prej tyre, 5 janë arrestuar për drejtim në gjendje të dehur, ndërsa 7 janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim pa leje.
Po ashtu, 4 drejtues mjetesh janë arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në rrugët urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur edhe pajisje bashkëkohore monitorimi.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të respektojnë sinjalistikën dhe kufizimet e shpejtësisë, të mos drejtojnë automjetin pas konsumimit të alkoolit dhe të tregohen të kujdesshëm për të shmangur aksidentet.

