Një operacion i bashkërenduar mes autoriteteve belge dhe franceze ka rezultuar në goditjen e një rrjeti të madh ndërkombëtar të trafikut të drogës, duke çuar në arrestimin e shtatë shqiptarëve dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lëndësh narkotike.
Sipas informacioneve nga mediat ndërkombëtare, aksioni filloi më 10 qershor në Francë, ku xhandarmëria franceze kreu rreth 12 kontrolle në rajonin e Bretanjës. Gjatë këtij aksioni, katër shqiptarë të moshave 21, 30, 30 dhe 32 vjeç, u arrestuan nën dyshimin se ishin anëtarë të një grupi kriminal që merrej me trafikimin e narkotikëve midis Belgjikës dhe Francës.
Prokuroria e Rennes e njoftoi se të arrestuarit janë duke u hetuar nga Juridiksioni Ndërrajonal i Specializuar (JIRS) dhe janë vendosur në paraburgim.
Më 11 qershor, një ditë pas operacionit në Francë, autoritetet belge realizuan 14 kontrolle të tjera, ku pesë individë u arrestuan, nga të cilët tre ishin shqiptarë.
Hetimet, të cilat kishin zgjatur disa muaj, zbuluan funksionimin e një organizate kriminale shqiptare që menaxhon transportin e drogës nga Belgjika në drejtim të Francës. Prokurori Frédéric Teillet deklaroi se grupi kishte ngritur një apartament në Belgjikë si laborator për pranimin, përpunimin dhe paketimin e lëndëve narkotike para se t’i shpërndante ato në treg.
Transporti i drogës bëhej me automjete që kishin vendet e fshehta të ndërtuara me kujdes për t’u shmangur kontrolleve nga autoritetet.
Gjatë operacionit, policia arriti të sekuestrojë 13 kilogramë kokainë, 26 kilogramë kemikate të përdorura për përzierje dhe rritjen e sasisë së drogës, gjithashtu bidonë me aceton dhe amoniak, si dhe pajisje për përgatitjen dhe paketimin e substancave narkotike. U zbulua gjithashtu një presë për kokainë me logo të ndryshme.
Në kuadër të aksionit, autoritetet sekuestruan gjithashtu dy armë zjarri dhe një armë gjahu.
Si pjesë e hetimit, janë bllokuar 19 automjete, disa prej të cilave kanë një vlerë të konsiderueshme, si dhe bizhuteri, duke e çuar totalin në rreth 400 mijë euro. Po ashtu, u identifikuan mbi 90 mijë euro në cash, ndërsa 37 mijë euro të tjera u bllokuan në llogari bankare. Në Belgjikë, gjithashtu janë ngrirë 38 llogari bankare.

