Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Mario Çelës dhe të Sergej Hasanpapajt, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre.
Vendimi është marrë në dhomë këshillimi nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Genti Shala.
Mario Çela dhe Sergej Hasanpapaj u ekstraduan disa muaj më parë nga Belgjika, ku ishin arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas SPAK, Mario Çela dyshohet për veprat penale “vrasja me paramendim”, “organizata kriminale”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “korrupsioni aktiv në sektorin privat”.
Ndërkohë, Sergej Hasanpapaj akuzohet për disa vepra të rënda penale dhe, veçanërisht, si autor i dyshuar i vrasjes së shtetasit Bledar Muça në Belgjikë.
Me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, të dy të dyshuarit do të vijojnë të qëndrojnë në paraburgim ndërsa hetimet ndaj tyre vazhdojnë.

